Lajmet
Të rejat e fundit
Kategoria
Trump e nis vizitën e parë zyrtare në Indi
24 Feb 2020 - 10:00
Trump e nis vizitën e parë zyrtare në Indi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arritur në Indi si pjesë e vizitës së parë zyrtare në këtë shtet.

Presidenti amerikan u prit në aeroport nga kryeministri i Indisë, Narendra Modi. Dy udhëheqësit e shteteve të mëdha u panë në një përqafim miqësor posa kreu i Shtëpisë së Bardhë shkeli në tokën indiane.

Ata më vonë do të shkojnë në stadiumin Motera, i cili njihet si stadium më i madh i kriketit në botë. Aty do të priten nga më shumë se 100 mijë njerëz.

Mijëra indianë tashmë janë vendosur anash rrugës 22-kilometërshe deri në stadium për ta përshëndetur presidentin amerikan.

Presidenti Trump më herët u ndal për pak kohë edhe në Sabarmati Ashtram, ku Mahatma Gandi kishte jetuar për 13 vjet, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Para nisjes së kësaj vizite, Trump kishte thënë: “Do të kemi miliona njerëz. Është një udhëtim i gjatë. Unë kaloj shumë mirë me kryeministrin Modi. Ai është miku im.”

Shtetet e Bashkuara dhe India janë partnere të rëndësishme tregtare. Në vitin 2018, shkëmbimi tregtar mes dy vendeve e pati vlerën e 142 miliardë dollarëve.

Pavarësisht forcimit të lidhjeve politike, mes shteteve ka pasur tensione në lidhje me tregtinë. Presidenti amerikan më parë ka deklaruar se taksat e Indisë ndaj mallrave të Shteteve të Bashkuara janë të papranueshme dhe e ka cilësuar këtë shtet si “mbretëreshë e taksave”.
Insider Sh.p.k Më shumë