Lajmet
Të rejat e fundit
Kategoria
Kurti akuzon të dërguarin e Trump se punon për interesat e Serbisë
26 Mar 2020 - 00:30
Kurti akuzon të dërguarin e Trump se punon për interesat e Serbisë
Kryeministri në largim, Albin Kurti, ka thënë se i Dërguari i Posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për Dialogun, Richard Grenell, braktisi kushtet që kishte vënë ndaj Serbisë në gusht të vitit të kaluar.

Në fjalimin e tij të fundit para se të rrëzohej qeveria, kryeministri në detyrë nënkuptoi se Richard Grenell filloi të mbante anën e Serbisë në dialogun me Kosovën.

"Ajo çka mua më ka bërë më shumë përshtypje edhe pse unë kam kundërshtuar më shumë Ambasadorin Grenell se që e kisha ndërmend, është fakti se ai e braktisi komunikatën e Kuintit, të gushtit të vitit të kaluar, ku kritikohej Kosova dhe thuhej se duhet të hiqej tarifa, por kritikohej edhe Serbia për fushatën e çnjohjeve", u shpreh Kurti.

Sipas Kurtit, komunikimi i tij me Grenellin u bë i vështirë kur "ai braktisi principin" që kishte në fillim të ndërmjetësimit të dialogut: ndaljen e fushatës së çnjohjeve nga Serbia.

"Këtë pjesën e dytë të Kuintit, Ambasadori Grenell neve na e ka thënë qartazi në Prishtinë: tri herë e përmendi tarifën, presje edhe fushatën e Serbisë për çnjohje. E dikur më vonë këtë pjesën e dytë e ka lënë dhe aty ka filluar komunikimi ynë të bëhej më i vështirë sepse kishte një princip në fillim: Serbia me ndal fushatën e saj, Kosova me heqë tarifën. Mirëpo, kjo - Serbia me ndal fushatën e saj - u braktis nga Ambasadori Grenell. Këtu komunikimi ynë është bërë më i vështirë", u shpreh Kurti. /Insajderi.com
Insider Sh.p.k Më shumë